Romë

Romë

price from

Roma, kryeqyteti i Italisë, në vitin 2010 u zgjodh një ndër 28 qytetet më të rëndësishme globale dhe një ndër dhjetë qytetet më të vizituara në Bashkimin Evropian. Bukuria e tij duket sikur shtohet dita-ditës.

Qendra e saj historike është Trashëgimi Botërore e mbrojtur nga UNESCO. Monumentet historike si Koloseu (Colosseum), Selia e Vatikanit dhe muzetë e tij vizitohen nga të paktën katër milionë turistë të huaj për çdo vit.

T’i shijoni të gjitha bukuritë e Romës është e vështirë! Ju duhet të jetoni atje dhe të shijoni jo vetëm qytetin e Romës, por një seri monumentesh historike e kulturore që ndodhen në rrethinat e këtij qyteti madheshtor.

Historia e Romës jeton çdo ditë, në çdo rrugë apo lagje, me monumente shumë të rëndësishme, skulptura dhe kalldrëme të trashëguara nga antikiteti. Kultura e këtij qyteti, është shenjë e qartë, që tregon madhështinë dhe rëndësinë e tij.

Thuhet, se, të gjitha rrugët të çojnë në Romë, kjo për të rritur madhështinë e saj, por pa shqetësuar buzëqeshjet e atyre që jetojnë çdo ditë dhe ngatërrohen nëpër rrugët labirinte të qytetit tre milionësh.

Në Romë asnjëherë nuk do të arrini të thoni se çfarë do të shihni më përpara apo se diçka është më e bukur se diçka tjetër. Edhe si vizitor ka të ngjarë që aty të dashuroheni dhe të kuptoni se Roma ngelet një pjesë e pandarë e shpirtit tuaj.

San Pietro, një ndërtesë që është e “frikshme” për nga madhështia e saj artistike, çdo ditë kthehet në një vend ku mijëra vizitorë të ardhur nga çdo cep i botës shkrepin pafund foto. Aty ku Papa, çdo të diel, nis bekime për mijëra e mijëra besimtarë katolikë.

Kur dëgjojmë të flitet për Romën i pari objekt që na vjen në mendje, është Koloseu. Koloseu, më shumë se çdo objekt tjetër, përbën zemrën e Perandorisë Romake, krenarinë e të qenit roman. Është një emocion i papërshkrueshëm të ecësh aty ku Jul Çezari, ka triumfuar me ushtrinë e tij.

Në Romë gjeni edhe Burimin e Trevit (Fontana di Trevi), një mrekulli  që shpreh gëzimin e jetesës. Piazza Navona, Pantheon, Piazza Del Popolo, Piazza Venezia, Piazza Repubblica, vende të tjera janë thjesht të bukura.

Të ecësh në rrugët e qendrës, të provosh një kafe, shijet dhe aromat e lokaleve, duke përfshirë këtu edhe mijëra turistë, që bërtasin, edhe kjo është Roma, të bënë të ndjehesh shumë madhështor/e.

Në Piazza di Spagna, në shkallët e saj, mund të shihni turma të lëvizin në të gjitha drejtimet.  Mund të ndjeni gëzim për të qenë i pranishëm dhe të shijoni rrezet e diellit, ulur në shkallët e këtij sheshi.